Pas protestës së dhunshme e përplasjeve me policinë të zhvilluar për të 2 herë në ambientet e jashtme të Parlamentit, qytetarët u mblodhën përsëri në sheshin ‘Skënderbej’ mbrëmjen e sotme për të vijuar më pas me marshimin drejt kryeministrisë. Protestuesit në kor thërrasin 'Lironi çuat', referuar 8 të arrestuarve pas përplasjeve te Kuvendi.
Një prej organizatorëve të protestës, Arben Kola, tha sot se personat e arrestuar nga tensionet para Parlamentit, janë provokuar nga grupet kriminale që janë të implikuara brenda Policisë së Shtetit. Kola bëri thirrje për të ruajtur qetësinë dhe se qeveria e kryeministrit Edi Rama do të rrëzohet me protestë paqësore.
“Kjo polici tregon që tani ndodhet para një dileme, ti shërbejnë mafies apo popullit. Duhet të jeni të vëmendshëm e të mos bini pre e provokimeve. Ruani qeverisë, do ta rrëzojmë përmes një revolucioni paqësor Edi Ramën. Çfarë e vret këtë sistem të kalbur, është prania e fëmijëve dhe grave, njerëzve si ai që u tërhoq zvarrë sot, Altin Hila, që vjen çdo ditë nga Durrësi me një fëmijë të sëmurë. Një duartrokitje për të gjithë të arrestuarit, ata janë provokuar nga bandat brenda policisë. Thirrje dhe për ambasadat, në veçanti atë të SHBA dhe atë të BE për ti hequr spinën Ramës se ata e kanë mbajtur me oksigjen. Nuk kemi qenë për dhunë, revolucioni është paqësor. Ata po kërkojnë dhunë. Nuk duhet të bie, pre e provokimeve”, tha Arben Kola.